
Në një vend që ka dalë nga lufta dhe ka ndërtuar nga zero çdo institucion që ka sot, të jesh në një nga gjeneratat e para të Forcave të Sigurisë nuk është vetëm titull, por është mision, peshë e përgjegjësisë, dhe është kujtesë që historia po të sheh. Manushaqe Nura e ka ndjerë këtë peshë mbi supe qysh në ditët e para të themelimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), një strukturë që sot njihet si një nga institucionet më të respektuara të vendit.
Me një karrierë që shtrihet në 16 vite shërbim në uniformë, Nura është ndër të paktat gra oficere nga Kosova që ka diplomuar në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst në Mbretërinë e Bashkuar – një arritje që simbolizon jo vetëm sukses personal, por edhe përfaqësim të dinjitetshëm institucional në një prej shkollave më elitare të trajnimit ushtarak në botë. Ajo është dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritës, një nga nderimet më të larta shtetërore, për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në forcimin e kapaciteteve të FSK-së dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare me profesionalizëm e dinjitet.
Në një sektor tradicionalisht të dominuar nga burrat, znj. Nura ka kontribuar që uniforma të mos jetë vetëm simbol force, por edhe simbol përfshirjeje. Ajo ka sfiduar stereotipe, ka shtyrë përpara agjendën e barazisë gjinore, dhe ka treguar se gratë nuk janë vetëm të afta për të qenë pjesë e strukturave të sigurisë – por janë thelbësore për funksionimin e tyre.
Sot, në një kohë kur bota po përballet me sfida të reja të sigurisë dhe kërkon qasje më gjithëpërfshirëse, përvojat si ajo e Manushaqe Nurës janë më aktuale se kurrë. Në këtë intervistë të realizuar nga Instituti për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ajo ndan me ne reflektime të thella nga karriera e saj, sfidat e rrugëtimit si grua në uniformë, dhe mendimet e saj për atë se si Kosova mund të shkojë përtej dokumenteve për ta kthyer agjendën WPS në realitet të prekshëm.
________________________________________________
- Ju keni qenë pjesë e themelimit dhe konsolidimit të një prej institucioneve më të reja të sigurisë në Evropë – FSK-së. Në një kontekst kur shteti po ndërtohej dhe institucionet ishin ende në formim, si ishte për ju të përfaqësonit jo vetëm një gjeneratë të re ushtarake, por edhe një vizion të ri për përfshirjen e grave në siguri?
Për mua, të jem pjesë e gjeneratave të para të oficereve të karrierës dhe më pas të kontribuoj në zhvillimin e një force të re si FSK-ja, ka qenë një përgjegjësi dhe privilegj i jashtëzakonshëm. Në një kohë kur strukturat ishin në ndërtim e sipër, ishim të vetëdijshëm se çdo hap i yni kishte peshë të madhe për të ardhmen. Si grua në uniformë, nuk përfaqësoja vetëm një rol profesional, por edhe një vizion për përfshirjen sa më të gjerë të grave në siguri. Ky ishte një shans për të thyer stereotipe dhe për të krijuar shembuj të rinj që do të ndikojnë gjeneratat e ardhshme.
Më duhet ta përmend që fatmirësisht në vendin tonë prania e grave në formacionet luftarake në FSK nuk është fenomen krejtë i ri, sepse gratë tona historikisht kanë qenë të përfshira në mënyrë aktive në formacione luftarake. Kështu edhe FSK e filloi ndërtimin e strukturave me këmbë të mbarë, duke u dhënë çasje dhe përgjegjësi grave në të gjitha formacionet përfshirë edhe ato luftarake të vijës së parë. Vlenë të theksoj se në atë kohë në shumë vende të zhvilluara në Evropë dhe më gjerë përfshirja e grave në të gjitha formacionet ende ishte vetëm një përpjekje për ndryshim në të ardhmen e në shumë prej tyre është vetëm përpjekje edhe sot.
Gratë në FSK pa dallim, në të gjitha strukturat, kemi dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin e Forcës dhe kudo që kemi pasur rastin të përfaqësojmë si brenda ashtu edhe jashtë vendit kemi shkëlqyer me zotësi, kështu duke përforcuar besimin në FSK si tek populli ashtu edhe tek partnerët ndërkombëtarë. Sot jam shumë krenare me këtë që kemi arritur, plotësisht e vetëdijshme që akullin e kanë thyer gjeneratat e grave para nesh, por edhe shumë e lumtur me zhvillimin që po e shoh te gjeneratat më të reja.
- Nga përvoja juaj në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, a ka ndonjë model të veçantë që do të dëshironit të importohej në Kosovë për të përforcuar implementimin e agjendës WPS në nivel praktik?
Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt zbatimit të agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS), duke e integruar atë në dokumente kyçe strategjike, siç është Strategjia e Sigurisë Kombëtare. Për më tepër, elementë të kësaj agjende janë përfshirë edhe në ligje kombëtare dhe në strategjitë institucionale të sektorit të sigurisë, që pasqyrojnë vullnetin politik për të avancuar barazinë gjinore.
Në aspektin praktik, ekzistojnë zhvillime pozitive që meritojnë vlerësim, siç janë krijimi i rrjeteve të grave në institucionet e sigurisë, vendosja e zyrtarëve për barazi gjinore në disa struktura udhëheqëse dhe ndërgjegjësimi gjithnjë e më i madh institucional mbi rëndësinë e kësaj agjende. Megjithatë, mendoj se kjo nuk është e mjaftueshme për të garantuar një zbatim të thellë dhe të qëndrueshëm.
Për ta përforcuar më tej zbatimin e agjendës WPS, është thelbësore që rrjeti i zyrtarëve për barazi gjinore të shtrihet tutje, duke përfshirë këshilltarë për çështje gjinore jo vetëm në nivelet strategjike, por edhe në nivelin operacional dhe taktik. Këta këshilltarë duhet të jenë jo vetëm staf civil, por edhe personel i uniformuar, në mënyrë që përfaqësimi dhe ndikimi i tyre të jetë real dhe funksional në terren. Kjo është një praktikë që tashmë aplikohet me sukses në shumë vende anëtare të NATO-s dhe ka treguar efikasitet të lartë në krijimin e një kulture gjithëpërfshirëse brenda institucioneve të sigurisë.
Një tjetër aspekt thelbësor është pjesëmarrja aktive e burrave, veçanërisht e atyre që mbajnë role udhëheqëse dhe vendimmarrëse. Në realitetin aktual, vendimmarrja në strukturat e sigurisë dominohet nga burrat, për shkak të disproporcionit gjinor. Prandaj, pa angazhimin serioz të tyre, nuk mund të kemi një zbatim të plotë dhe të sinqertë të kësaj agjende. Barazia gjinore nuk është vetëm çështje e grave – është një çështje e strukturimit më të drejtë dhe më efektiv të sigurisë kombëtare që kërkon gjithë përfshirje.
- Gjatë përvojës suaj në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, cilët i keni identifikuar si mekanizmat më efektiv për institucionalizimin e agjendës WPS në nivel të politikave shtetërore?
Gjatë përvojës sime në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, kam vërejtur se mekanizmat më efektivë për institucionalizimin e agjendës Gratë, Paqja dhe Siguria (WPS) në nivel të politikave shtetërore janë ata që kombinojnë objektivat e qarta, planifikimin e matshëm dhe llogaridhënien e strukturuar.
Së pari, institucionet e sigurisë duhet të kenë objektiva të detyrueshme për avancimin e grave në sektorin e sigurisë, të përkthyera në plane konkrete, të matshme dhe të afatizuara. Për shembull, nëse synohet rritja e përfaqësimit të grave në pozita udhëheqëse, institucioni duhet të ketë një plan të qartë zbatimi, që përfshin:
- • Kuota specifike për rekrutim dhe avancim të grave;
- • Trajnime të synuara për zhvillim profesional dhe lidership;
- • Mekanizma të rregullt për monitorimin e progresit dhe afate të përcaktuara.
Së dyti, ky proces duhet të shoqërohet me llogaridhënie institucionale. Përparimi në objektivat gjinore duhet të bëhet pjesë e vlerësimit të performancës së liderëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në alokimin e burimeve dhe vendimmarrjen strategjike, siç praktikohet në Forcat e Britaneze, Kanadeze etj. Po ashtu, raportimet e rregullta në nivelet më të larta, përfshirë Qeverinë dhe Kuvendin, janë thelbësore. Para Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, liderët duhet të raportojnë konkretisht mbi realizimin e objektivave WPS, ndërsa të paktën një anëtar i komisionit duhet të ketë rol të posaçëm për ndjekjen e kësaj agjende.
Së treti, është e rëndësishme që kjo agjendë të shihet si nevojë e brendshme kombëtare, jo si imponim nga partnerët ndërkombëtarë. Në kontekstin kosovar, gratë përballen me përgjegjësi të shumëfishta, ato janë aktive në punë dhe institucione publike, por mbajnë edhe barrën kryesore familjare. Mosshfrytëzimi i potencialit të tyre në siguri nuk është vetëm çështje barazie, por humbje reale për kapacitetin kombëtar.
Kombinimi i këtyre mekanizmave: objektiva të detyrueshme, plane të matshme, llogaridhënie të strukturuar dhe angazhim i sinqertë kombëtar përbën bazën më të fortë për institucionalizimin e qëndrueshëm të agjendës WPS.
- Kosova është ndër vendet që ka përfshirë agjendën e Grave, Paqes dhe Sigurisë në dokumente strategjike shtetërore. Në përvojën tuaj, cilat janë pengesat më të zakonshme në kalimin nga dokumenti në zbatim konkret?
Shpesh, hapat që ndërmerren duken më shumë si përgjigje ndaj kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë, sesa si pjesë e një përpjekjeje të vetëdijshme për të ndërtuar institucione më të drejta dhe më gjithëpërfshirëse. Në disa raste, përfshirja në këtë temë është parë më tepër si mundësi për përfitime individuale apo interes për njohje publike, sesa si dëshirë e sinqertë për të shtyrë përpara këtë agjendë.
Një tjetër pengesë mbetet fakti se shumë procese për barazi gjinore zbatohen në mënyrë formale, pa ndikuar realisht në kulturën e brendshme të institucioneve. Madje, ndodh që edhe gra në pozita udhëheqëse të mos e mbështesin këtë agjendë, duke e parë zbatimin e saj si favorizim të panevojshëm, e jo si mjet për të arritur barazi reale. Prandaj, mendoj se edukimi për barazinë gjinore duhet të fillojë shumë më herët, që nga sistemi arsimor dhe fazat e hershme të formimit qytetar.
Ky qëndrim nuk ka për qëllim të zbehë vlerën e hapave që janë ndërmarrë deri më sot. Përkundrazi, pavarësisht motivimeve apo mënyrës së zbatimit, është shumë më mirë që janë bërë përpjekje, sesa të mos ishte ndërmarrë asgjë. Siç thuhet edhe në gjuhën ushtarake: më mirë një plan me mangësi, por në kohë, sesa një plan perfekt i vonuar.
Por tani që ndodhemi në një fazë kur duhet të ecim përpara, është e domosdoshme të jemi më vetëkritik, më të sinqertë dhe më të orientuar drejt rezultateve konkrete. Vetëm në këtë mënyrë përpjekjet e ardhshme për agjendën WPS nuk do të mbeten në letër, por do të përkthehen në ndryshim të prekshëm në jetën e grave dhe në strukturat tona të sigurisë.
________________________________________________
Falë themeleve të ndërtuara me vite punë, përkushtim dhe përfaqësim të denjë si ai i znj. Manushaqe Nura, gjeneratat e reja sot gëzojnë më shumë mundësi se kurrë për të ndërtuar rrugët e tyre në fushën e sigurisë. Sot, pyetja nuk është më nëse gratë mund të jenë pjesë e këtij sektori, por si të sigurojmë që rrugët tashmë të hapura të çojnë drejt përfshirjes së plotë dhe të qëndrueshme. Sepse tashmë ekziston shembulli, ekziston përvoja dhe ekziston një hapësirë reale për më shumë gra në udhëheqje, në vendimmarrje dhe në çdo strukturë ku siguria merr formë.
Me përvojën dhe përfaqësimin e saj, znj. Nura ka kontribuar në ndërtimin e një kulture institucionale ku gratë shihen si pjesë e natyrshme dhe e domosdoshme e forcës, dijes dhe drejtimit strategjik. Edhe pas përmbylljes së shërbimit në FSK, ndikimi që ka lënë vazhdon të ndihet në rrugët që ajo ka ndihmuar të hapen dhe në vizionin që u ka dhënë brezave të ardhshëm.
