Në vitin 1999, kur Kosova filloi të hidhte hapat e parë drejt ndërtimit të institucioneve të sigurisë, një gjeneratë e re grash iu përgjigj thirrjes për t’i shërbyer vendit. Mes tyre ishte Kolonel Aferdita Mikullovci, pjesë e gjeneratës së parë të Policisë së Kosovës. Karriera e saj është shënuar me momente historike: nga pjesëmarrja në ngritjen e forcës së parë policore, deri te emërimi i saj si gruaja e parë që drejtoi një Drejtori Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, duke udhëhequr qindra policë në një nga rajonet më të ndjeshme të vendit.

Për kolonel Mikullovci, uniforma policore është më shumë se një detyrë, është, siç e përshkruan ajo vetë, “një profesion fisnik dhe i shenjtë.” Rrugëtimi i saj pasqyron qëndrueshmëri përballë sfidave të pasluftës, përkushtim të palëkundur ndaj qytetarëve dhe një vizion për një sektor sigurie më gjithëpërfshirës.

Përmes kësaj interviste të realizuar nga Instituti për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Kolonele Mikullovci na fton të reflektojmë mbi rolin e grave në sektorin e sigurisë dhe mbi rrugët që Kosova duhet të ndjekë për ta bërë agjendën GPS një pjesë reale të jetës së përditshme.

________________________________________________________________________

Ju keni qenë pjesë e gjeneratës së parë të grave që iu bashkuan Policisë së Kosovës në vitin 1999, në një kohë kur vendi sapo po ndërtonte institucionet e para të sigurisë dhe infrastruktura ishte minimale. Më vonë u bëtë edhe gruaja e parë që drejtoi një Drejtori Rajonale të Policisë, duke udhëhequr qindra policë në Mitrovicë të Jugut. Si ishte për ju të jeni jo vetëm pjesë e këtij rrugëtimi historik, por edhe të përfaqësoni një vizion të ri për përfshirjen e grave në polici dhe në siguri më gjerë?

E keni emëruar si te qëlluar “rrugëtim historik” pasi qe edhe ashtu rezulton. Vet fakti dhe fati i punësimit dhe rrugëtimit tim në Policinë e Kosovës qysh në gjeneratën e parë, është histori në vete, duke qenë pjesë e një historie bashkëkohore, ku dhe 6 Shtatori (data e punësimit tim) është “Dita e Policisë së Kosovës”, dhe çdo përvjetor dhe festë e Policisë së Kosovës është edhe festë e dyfishtë për mua, dhe çdo vit e festoj dhe përjetoj me emocion dhe ngazëllim të veçantë, edhe pse kjo që po e them mund të perceptohet si një refren i thjeshtë, por ne fakt është një ndjenjë që me te vërtet nuk mund të përshkruhet se çfarë peshe dhe çfarë roli ka uniforma e policisë dhe profesioni ynë fisnik, dhe i shenjët.

Në ditët e para të Policisë së Kosovës, mungonin gjërat më elementare si ID-të zyrtare apo baza e të dhënave, një realitet që e bënte punën sfiduese dhe kërkonte kreativitet për të ecur përpara. Sot, ju jeni pjesë e një force që ka arritur standarde të larta profesionale dhe bashkëpunon me partnerë ndërkombëtarë. Duke reflektuar mbi këtë rrugëtim, çfarë keni mësuar nga sfidat e para që e bënin punën thuajse të pamundur, dhe si i përdorni ato përvoja sot në udhëheqjen tuaj?

Është e vërtet se ditët e para të Policisë se Kosovës kanë qenë mjaft sfiduese nga aspekti teknik, logjistik dhe administrativ, ku posaçërisht gjenerata e parë e policisë nuk kemi qenë të pajisur fare me armë të zjarrit, diku për disa muaj kemi vepruar në terren pa armë zjarri, por këto nuk e kanë vështirësuar punën tonë aspak, kanë qenë faktor tjerë të jashtëm që kanë qenë alarm për neve se si duhet të sillemi, si të qasemi, dhe këta faktorë kane qenë: kohë pas lufte, shkatërrim pothuajse total i vendbanimeve, qytetar të traumatizuar dhe vuajtur nga humbjet e njerëzve të zemrës dhe humbjet e vendbanimeve dhe gjerave elementare për jetesë, qytetarë në kërkim të familjareve të tyre të zhdukur, pra kemi pasur të bëjmë me një situatë tejet të brishtë nga pasojat e luftës.

Këto kanë qenë ato që e kanë rënduar shpirtin tonë, ku edhe neve kemi qenë pjese e atyre vuajtjeve, dikush nga koleget tanë kishte humbur familjaret, dikush pronat, e dikush të gjitha, POR, që neve është dashur të kemi forcë të dyfishtë, në njërën atë ti luftojmë vuajtjet/dhimbjet tona personale dhe në anën tjetër të jemi të fortë ndaj qytetareve dhe të gatshëm për ofrim të ndihmës, dhe sigurisë.

Ajo çka kam mësuar nga ditët e para ne një kohë dhe situatë mjaft të brishtë kanë qenë thelbësore dhe ato mësohen duke e shkelur terrenin dhe duke u ballafaquar me shumë situata dhe probleme prej më të ndyshmeve, por që me kanë mësuar te kem: vullnet, guxim, modesti, empati, qasje dhe komunikim te mirëfilltë, etikë dhe integritet personal dhe institucional si dhe dinjitet të pathyer pavarësisht vështirësive, dhe të gjitha këto mësime i shfrytëzoj në menaxhim ditor, i përdori për t’i këshilluar, udhëzuar dhe mentoruar policët e rijnë, gjeneratat e reja, këto njohuri, shkathtësi dhe aftësi i përdori dhe elaboroj edhe në ligjërata të ndryshme që ftohem here pas here edhe në kuadër të policisë por edhe nga institucione tjera vendore dhe ndërkombëtare, i elaboroj në takime formale dhe joformale, dhe kudo qe kam mundësi të shpalos përvojën time, dhe mësimet e marra për 26 vite!

Një nga parimet themelore të Agjendës Gratë, Paqja dhe Siguria është që siguria nuk matet vetëm me forcë apo numra, por edhe me besimin që qytetarët kanë tek institucionet. Në rolin tuaj si drejtuese e një Drejtorie Rajonale, ju keni qenë shpesh ura mes komunitetit dhe policisë, veçanërisht në një rajon delikat si Mitrovica. Si e shihni rolin e grave police në krijimin e këtij besimi, dhe pse mendoni se prania e tyre në pozita të tilla është thelbësore për një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj sigurisë?

“It’s all about the heart”- Fillimisht e them se duhesh ta duash vendin tënd, punën dhe profesionin, dhe kur puna behet me zemër, nuk ka se si të mungoj suksesi, dhe normal pastaj pasojnë atributet tjera që ndoshta me duhet ta them pa modesti se neve si gra (jo të gjitha), përveç qe jemi shumë të përkushtuara, interesuara, modeste, neve poashtu konsideroj se kemi fatin që të kemi Inteligjencë të lartë emocionale, dhe kjo na bënë të lexojmë dhe kuptojmë energjinë e komunitetit, situatës, rrethanave.

Kryesisht i prijmë proceseve duke arkitektuar sigurinë e qytetareve, duke marr iniciativa të shumta, duke përgatitur dhe realizuar projekte të ndryshme, duke punuar shumë në analiza dhe përgatitje e implementim të planeve të shumta operative, dhe të gjitha këto veti, tipare, atribute, angazhime, përkushtime dhe qasje gjithëpërfshirëse të mia që i ndërmarrë ne suaza ditore kanë ndikuar pozitivisht në situatën e sigurisë në rajonin e Mitrovicës Jug që si drejtoreshë e një rajoni me kompleks, kam arritur ta kem rajonin më të vlerësuar nga komuniteti dhe më të besueshëm në Kosovë, dhe me performancen më të lartë policore, ku këto vlerësime dhe rezultate kanë dalur nga hulumtimet e bëra nga QKSS dhe nga Inspektorati Policor i Kosovës, dhe këto vlerësime/rezultate i kam pasur për katër vite me radhë 2018, 2019, 2020 dhe 2021.

Nuk dëshiroj të ekzagjeroj por jam mjaft e sigurtë se nëse do të vazhdohej me të njëjtat hulumtime, prap edhe ne vitet pasuse do të rezultojë si regjioni më i besueshëm në Kosovë, për shkak se jam e vetëdijshme për punën, angazhimin dhe përkushtimin qe e kam dhe e bëj se bashku me vartësit e mi.

Ju keni qenë instruktorja e parë femër në Divizionin e Menaxhimit dhe Lidershipit në Akademinë Policore dhe keni drejtuar Divizionin e Trajnimeve Bazike. Më pas, në vitin 2023, u bëtë pjesë e kursit prestigjioz të Departamentit të Sigurisë së Brendshme në SHBA, “Lead by Heart”. Si i shihni këto përvoja të trajnimit dhe edukimit, kombëtare dhe ndërkombëtare, në formësimin e stilit tuaj të lidershipit dhe në krijimin e një kulture të re brenda Policisë së Kosovës?

Përvoja ime si instruktorja e parë në Divizionin e Menaxhimit dhe Lidershipit ne Akademinë policore dhe udhëheqëse e Divizionit te Trajnimit Bazik si dhe ndjekja e trajnimeve prej me prestigjiozeve ndërkombëtare siç është edhe trajnimi ne SHBA ne Departamentin e Sigurisë Kombëtare janë nga përvojat qe kam mësuar jashtëzakonisht shumë.

Përveç literaturave të shumta që kam lexuar për tu përgatitur dhe mbaj ligjërata para pjesëmarrësve, unë pothuajse njëjtë kam pasur fatin te fitoj dijeni nga instruktoret ndërkombëtarë me përvoja të jashtëzakonshme, të mësoj nga vet përvojat e pjesëmarrësve dhe të gjitha ato përvoja të shkëmbyera, dhe literaturë të studiuar, kam pasur fatin t’i zbatoj në praktikë, dhe kjo është ajo që më ka bërë më të kompletuar si profesioniste, dhe me gjithëpërfshirëse në shumë domene.

Si themeluese e Shoqatës së Grave në Policinë e Kosovës, ju keni punuar vazhdimisht për fuqizimin e grave dhe krijimin e një rrjeti mbështetës për to. Cilat janë sfidat më të zakonshme që hasin vajzat dhe gratë e reja kur i bashkohen policisë, dhe si mendoni se mund të krijohen mekanizma të qëndrueshëm për t’i përkrahur ato në rrugën drejt udhëheqjes?

Si themeluese e Shoqatës se Grave në Policinë e Kosovës jam e përkushtuar maksimalisht që 12 vite pandërprerë ku te gjitha angazhimet dhe kontributet i jap ne mënyrë vullnetare me tërë përkushtimin dhe qenien time, vetëm që të kontribuojmë në zhvillim profesional të vajzave dhe grave ne policinë e Kosovës, te fuqizojmë rolin e gruas ne Institucione te sigurisë, të dëshmohemi si shembull dhe model para gjeneratave të reja, dhe të përkushtohemi shumë në mirëqenien e vajzave dhe grave ne kuadër te Policisë se Kosovës.

Përveç iniciativa te brendshme, unë se bashku me koleget tjera, udhëheqësinë e shoqatës kemi tentuar te kontribuojmë shumë në shoqëri duke u takuar me vajza të reja dhe duke mbajtur prezantime dhe ligjërata të ndryshme për rëndësinë, rolin dhe peshën e prezencës se grave ne kuadër të institucioneve të sigurisë, dhe këto takime formale dhe jo formale i kemi realizuar edhe në zonat më të thella rurale, edhe në zonat urbane, në universitete, në shkolla të mesme, në takime të shumta me shoqërinë civile etj,. Rol të rëndësishëm kemi luajtur poashtu duke përkrahur me psikolog disa viktima të rasteve të dhunës në familje, kemi përkrahur me logjistikë strehimoret, kemi përkrahur gratë dhe fëmijët e kthyer nga zonat e konfliktit/luftërave nga Lindja e mesme, kemi përkrahur në themelimin e shoqatave të grave atë të Shërbimit Korrektues në Kosovë, në rruge e sipër për themelim të Shoqatës së Grave ne Doganën e Kosovës, kemi përkrahur themelimin e Shoqatës se Gruas Police në Shqipëri, atë të Forumit te Grave Police në Maqedoni, etj.

Të gjitha këto iniciativa dhe projekte të shumta kanë ndikuar pozitivisht në besimin e Shoqatës së Grave të Policisë së Kosovës, dhe rritjen e interesimit të numrit të vajzave/grave për t’iu bashkuar institucioneve të sigurisë, gjegjësisht Policisë së Kosovës! Ndërsa për të ndërtuar mekanizma të qëndrueshëm drejt rrugës se udhëheqjes, kërkohet transparencë institucionale dhe meritokraci, kjo është ajo që kërkojmë, pasi qe kryesisht vajzat/gratë janë të përkushtuara, të kujdesshme të përgjegjshme, me integritet dhe dinjitet, por edhe kërkohet vendosmëri dhe guxim nga vet gratë dhe vajzat me qellim që të arrijnë të jenë pjesë e udhëheqjes.

Kosova ka integruar agjendën e Grave, Paqes dhe Sigurisë në dokumente strategjike dhe institucionale, por shpesh zbatimi mbetet sfidues. Si grua që ka udhëhequr në nivele të larta të Policisë së Kosovës, çfarë mendoni se janë mekanizmat më efektivë për të kaluar nga dokumenti në praktikë dhe për ta bërë këtë agjendë një realitet të prekshëm në jetën e grave dhe në funksionimin e institucioneve të sigurisë?

Konsideroj se kur kemi të bëjmë me zbatimin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë, në kuadër të Policisë së Kosovës, kemi ngecur dhe kemi mbetur aty ku kemi qenë në pozitat vendimmarrëse të cilat janë numër i vogël të mbuluara me gra, dhe kur jemi tek kjo pikë, unë gjithmonë i referohem dhe jam fanatike e meritokracisë, sepse vlerësoj se kemi mjaft vajza e gra të zonjat në Policinë e Kosovës, andaj dhe gjithmonë kërkoj që vetëm tu ipet mundësia e caktimit në pozitat vendimmarrëse, dhe do të dëshmohet çdo ditë e me tepër se kemi eprore shumë të zonjat, të përgjegjshme, profesionale, dhe etike. Jemi numër i vogël që kemi pozita vendimmarrëse, dhe ky numër ka ngecur aty edhe në pozicione por edhe ne shifra.

Sa i përket institucioneve tjera të Sigurisë, nuk jam shumë ne dijeni me shifrat e tyre, por aq sa vlerësoj nga jashtë, FSK dhe Shërbimi Korrektues kane pasur avancim dhe përmirësim në këtë aspekt s’paku ashtu mendoj!

Rrugëtimi juaj nga një police e re në vitin 1999 deri në një nga pozitat më të larta të Policisë së Kosovës është shembull frymëzimi për gjenerata të tëra. Çfarë mesazhi do t’u jepnit vajzave të reja që ëndërrojnë të thyejnë barriera dhe të ndjekin një karrierë në siguri, por ndonjëherë hezitojnë për shkak të paragjykimeve apo stereotipeve shoqërore?

Mesazhi im kryesor dhe moto ime personale është “Vullnet dhe Guxim” dhe këtë e deshifroj pasi që me vullnet arrin të lexosh, studiosh, mësosh, punosh, përkushtohesh dhe kur këto atribute të përforcohen atëherë shkon drejt zhvillimit të lartë profesional dhe e tëra çka të mbetet është të kesh guxim që paralelisht ti përkthesh dhe zbatosh në praktikë duke marr iniciativa dhe duke sfiduar sistemin, institucionin, paragjykimet dhe rrethanat e situatat të cilat i ke para vetes, dhe suksesi nuk ka se si të mungoj.

Paragjykimet dhe stereotipet shoqërore gjithmonë kanë qenë dhe do të jenë edhe pse shkojnë duke u zbehur në shoqërinë tonë, por edhe zbehen falë arritjeve tona (vajzave dhe grave), falë sukseseve tona, falë rezultateve tona, falë shëmbëlltyrës sonë, pra paragjykimet dhe stereotipat nuk janë zbehur gratis, ato i kemi merituar fillimisht nga nënat dhe baballarët tanë, nga gjyshet dhe gjyshërit tanë të cilat kanë trasuar rrugën për ne, na kanë dhënë besimin, na kanë dhënë frymëzimin, na kanë dhënë përkrahjen e që gjeneratat tona kemi dëshmuar të kemi dhënë një kontributë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm si në fushën e sigurisë, poashtu në fushën politike, ekonomike, sportive, kulturore, dhe kemi dëshmuar se nuk ka vend për paragjykime, edhe pse gjithmonë do të këtë, por nuk do te kenë peshë përderisa ne nuk ndalemi, përderisa ne nuk bijme pre e tyre, përderisa neve nuk na lejnë përshtypje.

Është një thënie “Statujat e njerëzve të mëdhenj janë bërë prej gurëve që i kanë hedhur mbi ta”, dhe nuk është se e bej ndonjë krahasim të vetes sime apo dikujt me ato personalitete të atyre statujave, por e citoj këtë thënie për t’ju kujtuar vetës dhe të tjerave se edhe atëherë dhe gjithmonë do të ketë paragjykime, por neve nuk bën të ndalemi siç edhe nuk janë ndalur as ata/ato para nesh dhe sot shkruan historia për ato personalitete/statuja!!!

________________________________________________________________________

Nga mentorimi i gjeneratave të reja të policëve, te udhëheqja shembullore në kohë sfidash, e deri te themelimi i Shoqatës së Grave në Policinë e Kosovës, Kolonel Aferdita Mikullovci ka ndërtuar mbi dy dekada përkushtimi të pandërprerë ndaj shërbimit dhe komunitetit. Rrugëtimi i saj është një dëshmi se lidershipi i grave jo vetëm që forcon institucionet e sigurisë, por edhe krijon besim dhe lidhje më të thella me qytetarët.

Mesazhi që ajo u lë vajzave të reja është i qartë: “Me vullnet dhe guxim, asgjë nuk është e pamundur.” Ky është një kujtim se paragjykimet mund të ekzistojnë, por nuk mund të ndalin ata dhe ato që vendosin të ecin përpara dhe të ndryshojnë realitetin. Historia e saj na rikujton se siguria e vërtetë matet jo vetëm me forcë, por edhe me besimin, integritetin dhe guximin e atyre që e mbajnë uniformën.