Ofrues Shërbimesh për Projektin “Farat e fuqizimit: Gratë në Bujqësi”

Autoriteti Kontraktues: Fondacioni Jahjaga

Mbështetur nga: Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK)

Kontakti: contact@jahjagafoundation.org

Periudha e zbatimit: (3 muaj)

Vendi i zbatimit: Komunat Lipjan dhe Graçanicë

Afati i aplikimit: 10 nëntor 2025, deri në ora 17:00.

1. Sfondi

Fondacioni Jahjaga është duke kërkuar ofrues shërbimesh me përvojë (individë ose kompani) për të bashkëpunuar në projektin “Farat e Fuqizimit: Gratë në Bujqësi”, projekt i mbështetur nga UNMIK Kosovë. Ky projekt synon të fuqizojë gratë nga komunitetet e margjinalizuara duke u ofruar atyre aftësi profesionale dhe mbështetje praktike në fushën e përpunimit të ushqimit si dhe për t’u bërë sipërmarrëse të pavarura dhe të suksesshme në sektorin e bujqësisë.

2. Qëllimi i angazhimi

Katërmbëdhjetë (14) gra përfituese do të marrin përkrahje nga ekspertë në fushat e bujqësisë dhe përpunimit të ushqimit. Ky ndërhyrje do të përmirësojë njohuritë teknike dhe aftësitë e tyre në prodhimin bujqësor, përpunimin e ushqimit dhe zhvillimin e produkteve. Mbështetja synon të rrisë cilësinë e produkteve dhe të përmirësojë aftësinë e përfitueseve për të përmbushur kërkesat dhe standardet e tregut. Përveç kësaj, gratë do të fitojnë aftësi bazë menaxheriale për të mbështetur zhvillimin e iniciativave të tyre të vogla agri-ushqimore. Ekspertët e fushës bujqësisë do të ofrojnë sesione trajnimi teorike dhe praktike mbi përpunimin e ushqimit, së bashku me konsultime të drejtpërdrejta bujqësore.

3. Shërbimet e kërkuara

Kërkohen ofrues shërbimesh që mund të realizojnë trajnime profesionale për grupet e mëposhtme:

  • 7 gra përfituese në komunën Lipjan
  • 7 gra përfituese në komunën Graçanicë

Temat e trajnimit përfshijnë:

  1. Njohuri teknike: përdorimi i pajisjeve dhe proceseve të prodhimit në bujqësi.
  2. Aftësi kreative dhe inovative: zhvillimi i ideve për produkte dhe përshtatja ndaj kërkesave të tregut.
  3. Menaxhimi i biznesit: planifikim financiar, marketing, shitje dhe menaxhim i burimeve njerëzore.
  4. Mbështetje për biznesin: hartimi i planeve të biznesit dhe aplikimeve për financim.

Total perfituese: katermbëdhjetë (14) gra shtatë nga Lipjani dhe shtatë nga Graçanica do të kenë mundësi të marrin pjesë në trajnime të avancuara për zhvillimin e bizneseve bujqësore.

4. Kriteret e pranueshmërisë për ofruesit e shërbimeve

  • Ekspertizë dhe përvojë e dëshmuar në trajnime dhe ngritje kapacitetesh në fushat e mësipërme.
  • Përvojë në punën me komunitete të margjinalizuara dhe projekte të fuqizimit të grave.
  • Aftësi për të siguruar materiale dhe burime trajnimi.
  • Gatishmëri për bashkëpunim ndërkulturor dhe krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës.
  • Përkushtim ndaj parimeve të barazisë gjinore dhe fuqizimit socio-ekonomik të grave.

5. Dokumentet që duhet të dorëzohen

Ofruesit e interesuar ftohen të dërgojnë aplikimin e tyre në emailin: contact@jahjagafoundation.org

Afati i aplikimit: 10 nëntor 2025

Dokumentet kërkuara:

  • Certifikatën e regjistrimit, përshkrimin e kompanisë dhe ekspertizën përkatëse (për kompani)
  • Certifikatën/diplomën për shërbimin e ofruar (për individë)
  • Programin e propozuar të trajnimit (kurrikula, metodologjia dhe oferta financiare)
  • Referenca nga projekte të ngjashme (për kompani dhe individë)